Gdhendja e drurit është një formë e përpunimit artistik të këtij materiali (drurit) që daton që në kohët e lashta, e cila ka qenë gjithmonë një nga aktivitetet më të rëndësishme të zejtarisë.
Origjina e kësaj forme të artit dekorativ lidhet me nevojën për të zbukuruar dhe bërë më mikëpritësë mjediset tona dhe transformimin e objekteve të përditshme në objekte të bukura, duke shprehur në të njëjtën kohë vlera simbolike lidhur me traditat lokale.
Dekoracionet e para kishin të bënin me vizatime gjeometrike, rozeta, yje, rrathë, rrota diellore. Ende motivet e panumërta të bëra nga dru-gdhendësit në ditët e sotme janë përpunime, interpretime personale dhe zhvillime të modeleve të vjetra.
Llojet kryesore të gdhendjes janë:
- Gdhendja me goditje (ose me majën e thikës). Kjo lloj gdhendje zbatohet mbi objekte të ndryshme me sipërfaqe të sheshtë, për shembull, pllaka, kuti etj. Motivi është gjeometrik dhe për të patur një rezultat sa më të pëlqyeshëm duhet të ketë harmoni midis figurave. Punimi zbatohet me ndihmën e mjeteve si kompasti, skuadra, raportor dhe laps me majë të hollë. Nga ana teknike gdhendja me goditje është forma më e thjeshtë e dru-gdhendjes. Bashkësia e goditjeve (pikave) lejon realizimin e motiveve me vlerë të lartë artistike. Kjo lloj teknike është padyshim një hap i parë për të vijuar me llojet e tjera të përpunimit të drurit, si bazorelievi, skulptura etj.
- Gdhendja floreale. Kjo gdhendje realizohet me daltë. Motivi është subjektiv, duke i dhënë fre të lirë imagjinatës. Gdhendja floreale dhe ajo me goditje mund të përfshihen në të njëjtin objekt. Gdhendja floreale është një gdhendje dekorative. Me të mund të dekorohen pjata, kuti, korniza madje të krjohen panele me motive floreale.
Ndryshe nga gdhendja me majën e thikës, ku dizenjo është gjeomterike dhe nuk ka hapsira boshe për të mbushur, në gdhendjen floreale teknika ndryshon, vizatimi duhet studiuar në mënyrë të tillë midis luleve të realizuara të mos ketë hapësira shumë të mëdha të cilat duhen pastruar (hequr). Kjo lloj gdhendje mund të përfshihet në një objekt të punuar me goditje (gdhendje me goditje). Për shembull, brenda një rrethi mund të përfshihet një lule; petalet e brendavendosur një rrethi ose një rombi duhet të prekin ekstremet e rrethit apo rombit.
- Gdhendja artistike. Ky stil ka evoluar në periudha të ndryshme të historisë së artit. Stilet e artit nuk ka lidhje vetëm me arkitekturën, por edhe pikturën dhe skulpturën. Gdhendja artisike në përgjithësi ka një dizajn të ndërlikuar dhe karakterizohet nga nivele të ndryshme të gdhendjes që tejkalojnë centimetrin.
Llojet e drurëve më të përdorur për gdhendje janë:
Bliri – Dru i ëmbël me ngjyrë të bardhë, mjaft i lehtë për tu punuar. Është një dru i lehtë për tu gdhendur, sidomos për ata që janë në fillimet e tyre.
Arra – një dru të çmuar. I përdorur gjerësisht në skulpturë dhe gdhendje. Ndryshe nga pema e blirit është më i fortë për tu punuar, shumë kompakt dhe me ngjyrë të errët. Me kalimin e kohës merr një ngjyrë lustër.
Panja – dru i bardhë, shumë i ngjashëm me blirin, por me karakteristikat e drurit të arrës. Dru i ngjeshur me damarë. Ka punueshmëri të mirë.